E pandreqshme tek Anglia, Runi rrezikon pas skandalit të fundit!

Jeta private është një gjë, dhe të jesh personazh publik si dhe profesionist, diçka tjetër. Uejn Runi i harroi të dyja këto, kur piu dhe u bë tapë (sipas lajmeve që vijnë nga Anglia), menjëherë pas ndeshjes së kombëtares kundër Skocisë. Kapiteni anglez ishte në një dasmë në një hotel në Uatford, dhe sipas dëshmitarëve, kishte pirë kaq shumë saqë mezi po rrinte në këmbë dhe nuk lidhte dot dy fjalë bashkë.
Vetë Runi nuk foli, por për mediat doli një zëdhënës i tij duke thënë se “Uejni e kishte pushim dhe po përpiqej të kënaqej gjatë kohës së lirë”. Sulmuesi 31-vjeçar me shumë gjasa edhe mund të ketë probleme me trajnerin Garet Sauthgejt, i cili nuk e aktivizoi në miqësoren ndaj Spanjës. Nuk ishte gjë e paktë që Runi qendroi në dasmë deri në orën 5 të mëngjesit, madje me të ishte edhe një zyrtar i Federatës Angleze.
Skandalet e pijeve nuk janë aq të rralla në futbollin anglez, mjafton të kujtojmë rastin e famshëm të Pol Gaskoinit.