Dorëzohet edhe Kantona: Zlatan, trashëgimtari im natyral

Në një video të shpërndarë nga Eurosport, Erik Kantona ka shprehur dëshirat e tij për 2017-ën në një mënyrë shumë … “Kantoneske”. Si gjithmonë është shfaqur i ulur në një kolltuk, duke mbajtur një bastun në dorë dhe me këmishën të zbërthyer. Ashtu si pamja edhe komentet e tij gjithnjë “trazojnë ujërat”…“Në vitin 2017, pas një mbretërimi të gjatë, më në fund heq dorë nga titulli im i nderit “lojtari më thumbues ndaj gazetarëve”.  Zlatan është trashëgimtari im natyral dhe ai do të marrë trashëgiminë time. Unë u kam shkaktuar shumë siklete atyre, por ai i bën të hanë baltë. Respekt për Zlatanin!“, ka sulmuar sërish gazetarët ish-legjenda e Mançester Junaited.

Kur Zlatan mbërriti në Mançester, Kantona e sfidoi, duke i thënë se ai nuk do të mundej kurrë t’i merrte statusin e mbretit në “Old Traford”.  Suedezi si gjithnjë origjinal iu përgjigj se synimi i tij ishte të bëhej Zot dhe jo mbret. Në 19 ndeshje në Premier League më fanellën e “Djajve të Kuq”, gjiganti nordik ka shënuar 13 gola dhe ka dhuruar 3 asiste.

Sfidanti.al