Diego Kosta nuk do të shkojë në Kinë, thotë Antonio Konte!

Oferta pritet të jetë e madhe, por siguria e trajnerit të tij është po kaq e madhe. Antonio Konte mendon se Diego Kosta nuk do ta braktisë Çelsin dhe Premier Ligën për Superligën kineze. Pasi Oskar dhe Xhon Obi Mikel lanë blutë për të shkuar në Kinë, duket se nuk ka asgjë për ta ndalur ofensivën financiare të vendit të madh që gjendet andej nga lind Dielli. Klubi Tianxhin Kuanxhian besohet se do të bëjë një ofertë prej më shumë se 95 milionë eurosh për kartonin e sulmuesit braziliano-spanjoll, diçka që sipas Kontes nuk do të ketë sukses.

“Mendoj se me Mikelin i kemi dhënë fund shkëmbimit me Kinën, – tha italiani, – të paktën, shpresoj kështu. Është e rëndësishme që të vazhdojmë të kemi këtë skuadër që kemi, pa ndryshime.Ne po luftojmë për trofe këtë sezon dhe është e rëndësishme që lojtarët kryesorë të mos largohen”. Diego Kosta besohet se do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen e Kupës së Anglisë të dielën. Konte, ndërkaq, synon që 72 milionë eurot e fituara nga transferimi i Oskarit në Kinë, t’i përdorë për të marrë të paktën dy futbollistë të tjerë.