Derbi Liverpul-Siti të dielën? Për Guardiolën ka nisur që tani!

Nuk është se foli keq, shumica e fjalëve të tij ishin lavdëruese, por thjesht ishte një vërejtje që mund të sjellë polemika. Siç komentohet në këto raste, “ndeshja ka nisur një javë më parë”. Luhet Liverpul-Mançester Siti të dielën e ardhshme në Premier Ligë, dhe Pep Guardiola dha shkëndijën e parë të polemikave, ndoshta pa dashje. Ai komentoi sulmuesin e të kuqve, Sadio Mane, autorin e golit të fitores në fushën e Aston Vilës.

“Mane është një talent i madh, – tha Pepi, – ai shënon gola të pabesueshëm në minutat e fundit. Një talent i vërtetë, ndonëse ndonjëherë simulon”. Guardiola lavdëroi Liverpulin duke e quajtur një kundërshtar të madh. “Nuk është çështje fati, – tha ai, – fat është kur ndodh një apo dy herë, por Liverpuli e ka bërë shpesh, duke shënuar në fund. Ka karakter të madh, dhe do të jetë një ndeshje e madhe. E dimë se përballë kujt do të jemi, dhe do të shkojmë në “Anfild” për të luajtur ndeshjen tonë”.

Sfidanti.al