Ç’ndodh tek Junajtidi, edhe Fil Xhonsi u bashkua me tifozët rivalë?!

Është e zakonshme që përkrahësit e një skuadre të ushtrojnë presion mbi trajnerin e kundërshtarëve duke kënduar refrenin “ti do të shkarkohesh në mëngjes”. Këtë bënë edhe tifozët e Uest Hemit për trajnerin e Mançester Junajtidit, Ole Gunar Solskjer, por ata patën edhe një mbështetje që nuk e prisnin. Ky ishte mbrojtësi i Junajtidit, Fil Xhons, i cili ndodhej në stol, dhe siç duket i pakënaqur me vendimin e norvegjezit për të mos e aktivizuar. Në një moment, ndërsa kamera ishte përqëndruar tek stoli, Xhons lëvizi buzët në mënyrë të tillë që u kuptua se po thoshte “shkarkohesh në mëngjes”.

Këtë e dëgjoi edhe zv. shefi ekzekutiv i klubit, Ed Uduord, i cili i tërhoqi vëmendjen futbollistit, duke i thënë: “Jemi duke u filmuar nga kamera, pusho!”  Me gjasë, Xhonsi i prishi edhe më shumë punë vetes sepse Solskjeri, që nuk u shkarkua në mëngjes pas humbjes 0-2, nuk pritet të sillet më mirë me të, përkundrazi pritet të sillet më keq. E gjitha kjo tregon se deri ku kanë arritur punët tek Mançester Junajtidi, dikur krenaria dhe tmerri i Anglisë, ndërsa sot është kthyer në një objekt talljeje dhe kritikat, sidomos nga analistët.

Sfidanti.al