Championsi është “prapa derës”, por Totenhemi i Murinjos ngeci këtë herë!

Transformimin e ka kryer dhe meriton vlerësimin për këtë. Zhoze Murinjo e tregoi veten për pak javë në stolin e Totenhemit, duke e afruar me katërshen e parë, veçse këtë fundjavë pësoi një ngecje. Londinezët nuk mundën të dilnin fitues nga fusha e Noruiçit, diçka normale në një kampionat kaq të vështirë sa ky anglez. Madje, u desh reagimi nga yjet Harri Kejn dhe Kristian Eriksen që të merrej pika në “Karrou Roud”, dhe Murinjo u detyrua të pranonte se ndjekja e Championsit do të jetë e mundimshme deri në fund.

Mario Vrançiç kaloi për herë të parë vendasit në epërsi, dhe një autogol i Serzh Oriesë u dha atyre avantazhin e dytë, por Kejni ishte i saktë nga penalltia 7 minuta para fundit. Gjithsesi, kënaqësia më e madhe për Murinjon duhet të ketë qenë paraqitja e Eriksenit, një lojtari që jepej si në prag të largimit, dhe që u shpall lojtari i ndeshjes. “Më vjen keq, – tha portugezi më pas, – pasi po pësojmë gola të njëjtë, por vazhdojmë të bëjmë të njëjtat gabime. Pësuam dy gola të rëndë, dhe duket se duhet të përmirësohemi shumë në mbrojtje, por në sulm nuk mund të jemi më agresivë sesa ishim në pjesën e dytë”.

Totenhemi ka 30 pikë pas 20 ndeshjeve, ndërsa Çelsi ka 32 me 19 takime të luajtura deri tani. Në garë për vendin e katërt janë edhe Mançester Junajtidi dhe Uolvesi, pa folur për ekipe që nuk janë shumë larg si Shefild Junajtidi apo Kristël Palasi.

Sfidanti.al