Arsenali po mendon skenarin më të keq për Aleksis Sançezin!

Një rival i rrezikshëm për Premier Ligën dhe për gjithë Europën. Bota rrotullohet, dhe siç thotë populli “ngryset piperkë e gdhin patëllxhane”. Arsenali po e ndjen kërcënimin nga Kina, ndërsa përpiqet të mbajë “me thonj” në skuadër Aleks Sançezin. Sulmuesi nga Kili është lojtari më i mirë i sezonit, golshënuesi numër 1, veçse rroga që i ofrojnë londinezët duket qesharake me atë që mund të marrë në vendin e madh të Lindjes. Nuk bëhet fjalë për ofertë të vogël, pasi Venger i ka bërë ofertë për 180 mijë stërlina në javë, madje ka zëra se klubi është gati të shkelë “tavanin” prej 200 000 stërlinash në javë, vetëm që Sançez të mos largohet. Në Kinë, kilenit i kanë ofruar “pa iu dridhur qerpiku”, 400 000 stërlina në javë. Nëse, në fund, gjithçka shkon keq, londinezët kanë menduar variantin rezervë, të marrin Marko Rojsin nga Dortmundi. Ylli gjerman ka kontratë deri në 2019, por Arsenali mund t’i japë rrogë shumë më të madhe, ndonëse ka shqetësime lidhur me dëmtimet e futbollistit të talentuar.