“Anija” e Man. Junajtidit “fut ujë”: Nuk jemi pretendentë për titull!

Tifozët më të paduruar duhet të jenë acaruar jashtë mase kur David De Gea pësoi gol në minutën e 95-të dhe fitorja ndaj Evertonit rrëshqiti nga duart. Mançester Junajtidi i Ole Gunar Solskjerit sërish zhgënjeu në momentin që duhej ta tregonte veten, duke mos arritur të mundë një tjetër skuadër të fortë (ndonëse e kishte bërë në “Gudison Park”), një problem kronik! Edhe pse në avantazh të dy golave, edhe pse ishte në epërsi 3-2 deri në sekondat e fundit, Junajtidi nuk u mbajt dot dhe mediat britanike shkruajtën se “velat e anijes u grisën dhe nuk mund të vazhdonin ecjen përpara”. Siç themi ne në shqip, “anija po fut ujë”.

Nuk mjaftuan golat e Kavanit, Fernandezit dhe Mektominait, ndërsa për Evertonin e Karlo Ançelotit barazuan Dukure, Hames Rodrigez dhe Kalvert-Ljuin. Solskjer nuk u mëdysh shumë për të dhënë mendimin e tij. “Mançester Junajtidi nuk është pretendent për titull, – tha norvegjezi, – ne nuk mund të cilësohemi kështu. Ne duhet të përmirësohemi edhe më shumë dhe pastaj të bëjmë llogaritë tona. Duhet të mos pësojmë gola të tillë kaq të lehtë. Ne nuk mund të fajësojmë askënd tjetër përveç vetes për golin e pësuar në fund”. Gazetat angleze e thumbuan Solskjerin duke thënë “ku shkoi “koha e Fergit”, pra duke theksuar se dikur ishte Mançester Junajtidi i Fergusonit që shënonte gola në fund, ndërsa tani po i pëson. Junajtidi ka 45 pikë në 23 ndeshje, ndërsa Mançester Siti ka 47 në vetëm 21.

Sfidanti.al