Abramoviçi e shet Çelsin …”vetëm” për tre miliardë sterlina!

Pronari i Çelsit, Roman Abramoviç, ka disa kohë që ka marrë në konsideratë mundësinë e shitjes së këtij klubi londinez, por jo më pak se tre miliardë sterlina, ndërkohë që e bleu atë për vetëm 140 milionë sterlina në vitin 2003. Këtë lajm e publikoi së fundmi portali elektronik ekonomiko-financiar “Bloomberg” që saktëson se biznesmeni rus do që ta shesë Çelsin, pasi do që t’i mbrojë mjetet e tij financiare nga sanksionet ekonomike amerikane.

Gazeta “Sunday Times” shkroi para ca kohësh se Abramoviçi kishte angazhuar një bankë investuese që të shihte mundësinë e shitjes së Çelsit, por klubi i mohoi këto lajme. Po ashtu, ka pasur informacione se pasaniku më i madh britanik, Xhim Ratklif, i kishte ofruar Abramoviçit për Çelsin dy miliardë sterlina, por u tha se pasaniku rus e hodhi poshtë këtë ofertë.
Qëkur Abramoviçi e bleu Çelsin për 140 milionë sterlina në vitin 2003, ky klub londinez ka fituar 17 trofe, midis tyre pesë tituj kampioni të Premier Ligës, një të Ligës së Kampioneve dhe një të Ligës së Evropës. Para se Çelsin ta blinte Abramoviçi, gjatë historisë së tij 98-vjeçare, ky klub londinez kishte fituar vetëm nëntë trofe!
Sfidanti.al