A i meriton Mançester Junajtidi, “mallkimet” e Roi Kinit?

Kapiteni i dikurshëm, një nga lojtarët më të mirë që ka luajtur ndonjëherë nën drejtimin e Sër Aleks Fergusonit, u tregua i pamëshirshëm në studio, siç ka qenë në fushë. Roi Kin lëshoi një “tiradë” të egër ndaj ish-ekipit të tij, Mançester Junajtidit, jo për barazimin 0-0 në fushën e Çelsit, por për mënyrën sesi e luajtën ndeshjen e Premier Ligës. Njeriu që ka pasur gjithnjë një karakter tepër të fortë, që pranonte të mundej, por që të mos guxonte për të fituar, e kritikoi ashpër ekipin e trajnerit Ole Gunar Solskjer.

“Sa më shumë kalonin minutat aq më shumë bëhej e mërzitshme, – tha irlandezi, – ishte një ndeshje e dobët. Ata nuk patën dëshirë të shkonin në zonën e kundërshtarit, një mungesë e qartë cilësie nga Junajtidi. Në ndeshjet e mëdha, ata nuk e kanë treguar veten asnjëherë, ndershmërisht e them. Në ndeshje të tjera duan të fitojnë, por kur vjen puna tek ndeshjet e mëdha, ata thonë “më mirë të mos humbasim”. Mendoj se Junajtidi po shikon të mbrojë vendin e dytë nga skuadrat që ka prapa vetes, sesa të ndjekë Mançester Sitin”.

Eh kapiten! Dakord, Mançester Junajtidi yt ndiqte vetëm qiellin dhe vendi i parë ishte qëllimi absolut, por ti ke harruar sesa vite iu deshën Sër Aleksit për ta krijuar atë skuadër, atë mentalitet? Nga 1986 deri në 1993, madje vetëm pasi të mori ty dhe pasi mori Erik Kantonanë. Ky Junajtid i sotëm duket si Interi i vjetshëm, që kishte rëndësi të konfirmohej si i dyti pas Juventusit. Këtë sezon guxoi më shumë, ndoshta edhe “djajtë e kuq” do të guxojnë vitin e ardhshëm.

Sfidanti.al