Pesë trokitje në derë për Albion Ademin, sa shumë oferta për talentin e Shpresave!

Është ende tepër i ri në moshë, por ata që e pëlqejnë duan ta marrin shpejt. Albion Ademi ende nuk është vërtet një yll, por shqiptari i Kosovës po bind gjithnjë e më shumë dhe pritet të largohet nga Finlanda. Pas shumë sezonesh në vendin nordik, sulmuesi i krahut i ka bërë vend vetes dhe disa klube e kërkojnë në Europë.

Ata që interesohen për 21-vjeçarin janë Trabzonspori në Turqi, Bazeli në Zvicër, Alkmari në Holandë, Grojter Fyrti në Gjermani dhe Hajduku i Splitit në Kroaci, ndërsa më parë po në Kroaci e ka dashur Dinamo e Zagrebit. Këtë e konfirmon Peter Matson, drejtori sportive i Mariehamnit, klubit për të cilin Ademi luan në Finlandë, i cili thotë se do të jetë shumë e vështirë që të mbahet një lojtar që ka kaq shumë kërkesa.

I lindur në Prishtinë, ai shkëlqeu sidomos sezonin e kaluar duke treguar rritje të madhe. Ademi e mbylli sezonin e kaluar në Superligën e Finlandë me 14 gola e 3 asistë në 22 ndeshje, thuajse gjatë gjithë kohës në fushë, me mbi 1850 minuta. Ai ishte një nga dy shënuesit më të mirë të kampionatit, si dhe lojtar shembullor pa asnjë karton të verdhë apo të kuq.

Ademi ka luajtur në Finlandë me disa ekipe si Turun Paloseura, Inter Turku dhe tani IFK Mariehamn, ndërsa ka zhvilluar 5 ndeshje për Shqipërinë U21 pasi u aktivizua për disa kombëtare finlandeze të moshave. Shpejt pritet që ai të jetë konkurrent për një vend në kombëtaren e drejtuar nga Edi Reja.

Sfidanti.al