Perez, Zidan dhe Murinjo, çfarë mendojnë për Kristiano Ronaldon!

Nuk do të lejojë që t’ia hedhin. Është shumë dashamirës presidenti i Realit, Florentino Perez, por po ashtu një njeri me ego të fortë, madje edhe kur vjen puna tek Kristiano Ronaldo. Numri 1 i madrilenëve ka bërë të qartë kushtet që do të vendosë nëse vërtet portugezi do të largohet nga “Santiago Bernabeu”. Perez është shprehur se transferimi i mundshëm i Topit të Artë nuk do të ishte aspak i thjeshtë.

Mediat flisnin për shifra nga 180 deri në 400 milionë euro, por bosi i Realit nxorri nga goja një shumë tjetër, shumë më të madhe, plot 1 miliardë euro. Kjo është klauzola në kontratën e tij, bën me dijë Perez. Presidenti mësohet se ka folur edhe me trajnerin Zinedin Zidan rreth situatës së Ronaldos, duke e quajtur shumë të çuditshme. Ai ka deklaruar se nuk ka folur me Kristianon që nga fitorja e Championsit në 3 qershor, dhe ka pranuar se kjo mund të ketë ndikuar në mërzitjen e futbollistit, që ndodhet nën hetim për mospagim taksash.

Perez u shpreh se CR7-ta mbetet lojtar i Realit dhe e këshilloi në distancë portugezin se më e mira do të ishte që ai të mbetej në skuadër. Gjithsesi, asnjë klub nuk besohet se është gati të paguajë 1 miliardë euro qoftë edhe për Ronaldon, madje edhe 400 milionë do të ishte një shumë jashtë çdo diskutimi.

E ardhmja e Topit të Artë, nëse ikën nga Madridi, mund të jetë tek Paris SG, pasi mësohet se Zhoze Murinjo nuk e ka me qejf që të bashkohet sërish me të. Trajneri portugez ka pasur konflikte me patriotin e tij në “Bernabeu” dhe nuk mendon se do të ishte mirë që ta blinte për Mançester Junajtidin.

Sfidanti.al