Paradoksi i futbollit, Poçetino nga më i miri në botë, tani i padëshirueshëm?!

Ishte koha e televizorit bardhezi, kur kjo skuadër e vogël bëri bujë të madhe. Klubi modest me emrin Kolçester Junajtid shkaktoi një tërmet të vërtetë në futbollin anglez, në sezonin 1970-1971, duke eleminuar një superfuqi si Lids Junajtidi nga Kupa e Anglisë. U desh të kalonte gati gjysmë shekulli, që Kolçester Junajtid, ekip i kategorisë së katërt, të shkruante një tjetër faqe të ndritur të historisë. Eleminoi nënkampionen e Europës në fuqi, Totenhemin, duke e larguar nga Kupa e Ligës, pas gjuajtjes së penalltive.

Të kuptohemi, Totenhemi luajti me ekipin e dytë, ku vetëm Dejvis, Dajer, Dele Ali apo Lukas Moura ishin titullarët e zakonshëm, por gjithsesi kjo duhej të kishte mjaftuar ndaj ekipit të kategorisë së katërt. Krahasimi është i pamundur për t’u bërë, pasi Kolçesteri ka vlerë skuadre prej 3 milionë eurosh, ndaj 980 milionë eurove që vlejnë londinezët, sipas agjencisë “transfermarkt”.

Një sukses i madh për trajnerin Xhon Mekgril dhe për djemtë e tij, në një atmosferë të jashtëzakonshme me 10 000 tifozë në “Kolçester Këmjuniti Stejdium”.

Për Totenhemin ishte një katastrofë, dhe një krizë në thellim. Vetëm 5 muaj më parë, ata marshuan triumfalisht në Champions, duke eleminuar Mançester Sitin dhe Ajaksin, e duke u ndalur vetëm në finale nga Liverpuli. Sot gjendja është tjetër, në Angli dhe në Europë. Të mbiquajturit “gjelat”, janë në vendin e tetë në Premier Ligë, 10 pikë prapa Liverpulit, kur janë luajtur vetëm 6 ndeshje.

“Energji do të thotë që të jemi bashkë, – u shpreh trajneri Poçetino, – jo që secili të mendojë për vete. Jemi në një kohë të vështirë, por po përpiqemi maksimalisht që të gjejmë zgjidhjen. Në kohë të tilla, duhet të jemi të bashkuar, të kthjellët dhe të qetë. Do të dalim shpejt nga ky moment i keq”.

Ironia dhe kontrasti i thellë në futboll kuptohet qartë, ndërsa në studio televizive dhe në media diskutohet shkarkimi i Poçetinos, trajnerit që pak kohë më parë lavdërohej si një nga më të mirët në botë. Shpresa e tifozëve është që zgjidhja të gjendet shpejt, sepse Totenhemi duket se po vuan pikërisht pasojat e suksesit të madh të sezonit të kaluar.

Sfidanti.al