Pandemia bllokon gjykatat, Manchester City, në ankth për apelimin

Pandemia coronavirus nuk ka kursyer as institucionet e drejtësisë duke ngadalësuar ritmin e punës së gjykatave.Kjo situatë vë në ankth Manchester City në lidhje me apelin e bërë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv kundër vendimit të UEFA që e dënoi me 2 vjet përjashtim nga kompeticionet evropiane për mosrespektim të rregullit të Fair Play Financiar.

Mësohet se cështja e Citizens, për shkak të situatës së krijuar, nuk do të shqyrtohet përpara muajit korrik, gjë që përbën një problem më vete duke parë pasigurinë që po rrethon Premier League.

Nëse kampionati anglez nuk do të rinisë, Federata do të bëjë të ditur menjëherë emrat e klubeve që do të marrin pjesë në kompeticionet evropiane në sezonin e ardhshëm dhe Manchester City nëse apeli i tij nuk do të diskutohet në CAS, do të rrezikojë që të mbetet jashtë Champions League në sezonin 2020/2021.

Ndërkaq, sipas tabloidit ‘Mirror’, avokatë të klubit anglez po mendojnë t’i hapin rrugë një hipoteze të dytë;  mbajtjen pezull të dënimit  teksa CAS shqyrton apelin e Manchester City që në fund do të duhet të shpresojë në këtë zgjidhje edhe përsa i përket merkatos së transferimeve pasi është shtuar frika për një eksod nga skuadra e Pep Guardiolës.

Sfidanti.al