Njeriu nr.1 i UEFA-s për “puçin”: Superliga është fantashkencë!

Revista gjermane “Shpigel” e ka trazuar shumë futbollin evropian, duke publikuar lajmin se 12 klubet më të mirë të Evropës synojnë të organizojnë një ligë evropiane private të veten! Në fakt, ajo që publikon “Shpigeli”, bazohet te të dhënat që i ka bërë të ditur “Football Leaks” (një version futbollistik i WikiLeaks-it), se klubet më të mirë evropianë kanë biseduar në fshehtësi për krijimin e një superlige evropiane, madje kanë shkëmbyer edhe e-male mes tyre.
Me këtë rast është prononcuar edhe presidenti i UEFA-s, Aleksandar Çeferin, që vuri në dukje se informacione të tilla janë fantashkencë ose ëndërr e ndonjë subjekti që nuk ka lidhje me realitetin.
“Ne kemi disa ide të reja, por për një superligë të tillë as që bëhet fjalë. Kjo nuk ka për të ndodhur. Kjo është fantashkencë ose ndonjë lloj ëndrre”, tha presidenti i UEFA-s, duke shtuar se kurrë më parë nuk kishte dëgjuar për ndonjë ide të tillë.
Sfidanti.al