Në futbollin e Femrave, fanela e SHBA është më e shitura

Botërori i Futbollit të Femrave në Francë po thyen rekorde jo vetëm për shikueshmërinë në stadiume por edhe në strategjinë e marketingut ku përfshihet edhe shitja e fanelave të skuadrave. Në këtë pikë ajo që është dominuese ashtu sikurse ndodh edhe në fushën e lojës është SHBA.

Në të vërtetë, skuadra amerikane e futbollit të femrave që ka si sponsor teknik Nike, ka regjistruar shitjet më të mëdha duke lënë pas edhe ekipet e futbollit të meshkujve si Paris Sën Zhermeni, Barcelona, Atletiko Madrid apo edhe vëtë përfaqësuesen e Francës, skuadrën që fitoi Botërorin e Rusisë, vitin e kaluar

Ai që konfirmoi këtë ishte vetë Shefi Ekzekutiv i Nike, Mark Parker i cili tha se fanela e skuadrës amerikane të futbollit të femrave është ajo që ka regjistruar më shumë shitje përsa u përket ekipeve që janë në një kontratë me këtë kompani të njohur të veshjeve sportive.

Kjo tregon edhe njëherë forcën gjithnjë e në rritje të futbollit të femrave në vitet e fundit dhe te Nike ishin të gjithë të ndërgjegjshëm për këtë. Për këtë arsye, të gjitha përfaqësueset që vishen me këtë markë, kishin një model ekskluziv, për më tepër, 3 nga 4 gjysmëfinalistet e Botërorit të Francës kanë pikërisht Nike si sponsor.
Uniforma e SHBA është dizenjuar në bazë të asaj që kjo skuadër përdori në Botërorin e vitit 1999. Sipas Nike, 2/3 e lojtareve përdorin veshjen e kësaj marke dhe kjo po reflektohet në mënyrë pozitive edhe në shitjet e produkteve femerore

Ndërkaq, edhe Adidas po investon jo pak në futbollin e femrave. Ashtu sikurse rivalët e Nike, edhe kompania gjermane e veshjeve sportive ka prodhuar uniforma ekskluzive për skuadrat posacërisht për Botërorin e Francës e për më tepër ka bërë edhe një premtim që është në favor të barazisë gjinore në futboll; do të shpërblejë skuadrën që do të fitojë Botërorin me të njëjtën shifër që shpërbleu ekipin që triumfoi në 2018 në futbollin e meshkujve, Francën.

sfidanti.al