Liverpool shet emrin e qendrës së tij stërvitore

Liverpool po kërkon të sigurojë të ardhura të rëndësishme në këtë kohë krize dhe e ka gjetur një mënyrë; shet emrin e qendrës së tij të re stërvitore në Kirkby  e cila tani do të quhet ‘AXA Training Centre’. Është kjo një lëvizje që vjen si pasojë e akordit që The Reds arriti me kompaninë franceze të sigurimeve AXA që për më tepër është edhe sponsori kryesor i skuadrës së Klopp.

Ndërsa skuadra e parë e Liverpoolit është stërvitur gjithnjë në Melwood, ekipet e kategorive inferiore e kanë bërë pikërisht në Kirkby. Tani parashikimi është që duke nisur që nga muaji nëntor të gjitha skuadrat të stërviten pikërisht në qendrën e re sportive që ka përmirësuar infrastrukturën e saj pas një investimi prej 55 milionë Eurosh.

Ndërkaq ai që nuk pritet të ndryshojë është emri i stadiumit mitik, Anfield Road. Pronarët e Liverpool, Fenway Sports Group e dinë që mund të sigurojnë të ardhura akoma më të mëdha nga shitja e emrit të stadium por ky është një hap që ata ende nuk kanë ndërmend ta marrin.

sfidanti.al