Verrati bën skanerin e Lige 1: Këtu futbolli është shumë i ashpër

Mesfushori italian i PSG-së, Marko Verrati, në një opinion të tij për mediat franceze, ka bërë krahasimin mes katër ligave kryesore europiane të futbollit, teksa evidenton Lige 1, ku bën pjesë, si shumë të ashpër. Madje, për të konkretizuar krahasimin me kampionatin spanjol, ai thotë se Barcelona dhe Real Madrid mund t’i shënojnë 5-6 gola në një ndeshje në Spanjë, por jo në kampionatin francez: “Unë dua sot të flas për Lige 1, kampionatin francez, i cili është kritikuar jashtë vendit, por edhe shumë shpesh në Francë. Ky kampionat është zhvilluar në vitet e fundit, ka ecur në drejtimin e duhur. Unë nuk di shumë për më parë, por flas për kohën që jam këtu. E dija që Lioni kishte lojtarë të mëdhenj, por kam mësuar me të vërtetë gjëra pozitive në lidhje me ekipet e tjera. Tani mund t’ju them se është një kampionat shumë i vështirë.

Nëse nuk je i përqëndruar në një ndeshje, mund të humbasësh kundër gjithkujt. Mbaj mend ndeshjet tona të para me Karlo Ançelotin, kur nuk fitonim shumë, shpesh kishim probleme. Kjo ishte surprizë për mua, sepse nuk mendoja të kishim kësi vështirësish. Kampionati francez është ndryshe nga ai në Itali, ku loja është shumë taktike. Këtu gjithçka është shumë më e ashpër. Në Angli ka shfaqje në fushë. Në Gjermani, tifozët janë të rëndësishëm. Në Itali, çdo gjë është e lidhur me taktikën, ndërsa në Spanjë dominon teknika. Mendoj se fjala, që e përshkruan më mirë Lige 1, është “fizike”. Seria A, e cila është e katërta në renditjen e UEFA-s, ka hasur shumë vështirësi në vitet e fundit, me Interin dhe Milanin plot probleme. Më pas Roma ose Napoli, që kanë rezultate zhgënjyese në Ligën e Kampionëve. Ndoshta Franca do të jetë në gjendje të kthehet së shpejti”, thotë midis të tjerash Verrati.