Verati përulet para PSG-së, ku ka lumturi përtej Parisit…

Marco Verratti i ka kërkuar falje Paris Saint-Germainit për komentet e bëra nga agjenti i tij, duke i quajtur “gabim i madh”.

Donato Di Campli deklaroi se Verratti “është si një burgosur te PSG”, për shkak se nuk po e lejojnë që të transferohet në Barcelonë.

“Kam lexuar komentet e agjentit tim dhe dua t’iu them të gjithëve se ato nuk pasqyrojnë mendimet apo fjalët e mia. Dua t’iu kërkoj falje gjithëve, presidentit, tifozëve dhe lojtarëve”, tha fillimisht Verratti.

“Jam i lumtur këtu dhe tani jam rikthyer të punoj shumë dhe të filloj sërish gjithçka këtu. E di se klubi ka besim në mua dhe dua t’iu kërkoj sërish falje”, shtoi ai.

“Kam shumë respekt për Paris Saint-Germain dhe jam ky që jam falë edhe këtij klubi”, u shpreh më tej mesfushori italian.

“Kjo është ajo se pse më vjen me të vërtetë keq. Ato nuk ishin fjalët e mia. Kam bërë gabim të madh dhe shpresoj se nuk do të përsëritet”.

“Tani të gjithë jemi të fokusuar për sezonin e ri dhe do të jap më të mirën time, ashtu siç kam bërë gjithmonë për këtë klub”, theksoi mes tjerash Verratti, duke konfirmuar kështu se do të mbetet në PSG dhe se nuk do të transferohet në Barcelonë.