Para se të ikë nga PSG-ja, Al Helaifi të shkojë te Bernar Tapia

Sheikëve duket se u është mbushur mendja “top”, që të largohen nga klubi që e blenë me aq pretendime në 2012. Mediat në Francë shkruajnë se presidenti Al Helaifi, dhe grupi i fuqishëm financiar i Katarit, janë tërësisht të zhgënjyer me atë që po ndodh me Paris SG në Champions, aq sa nuk kanë më shpresë se mund të arrijnë suksesin. Flitet pra se do të shesin aksionet dhe ndoshta mund të marrin ndonjë klub tjetër (Romën?!), ndërsa tani është bërë “formulë e pagabueshme” shprehja se “një klub francez nuk mund ta fitojë Ligën e Kampionëve.

Gjithsesi, përpara sesa të bëjnë hapin e madh prapa, sheikët duhet të bëjnë një hap përpara. Ata duhet të takojnë biznesmenin Bernar Tapi (Bernard Tapie), i cili fitoi Championsin në 1993 si president i Olimpikut të Marsejës, duke mundur në finale Milanin, dy vjet pasi kishte humbur po në finale ndaj Crvena Zvezdës. Një “kurs” i shpejt me Tapinë mund t’i ndihmojë që të ndryshojnë mendje dhe të arrijnë suksesin.

Në fund të fundit, Franca ka pasur edhe skuadra të tjera finalist në Champions apo Kupën e Kampionëve, pa bërë shpenzime kaq ekstravagante sa PSG-ja. Stad Reimsi arriti në finale në 1956 e 1959, Sent Etieni shkoi po në finale në 1976, ndërsa Monako u mund nga Porto e Murinjos në 2004. Në të kundërt, Paris SG i Al Helaifit nuk ka arritur dot as në çerekfinale!

Sfidanti.al