Pa klauzolë dhe me “Grand Plan”, PSG “lidh” Mbapenë

Këtë verë nuk bëhet fjalë të lëvizë, dhe duket se radha mund t’i takojë Nejmarit. Kilian Mbape është i mbërthyer fort nga presidenti i Paris SG, Al Helaifi, i cili shprehet se “jam 100 për qind, madje 200 për qind i sigurt, se ai do të luajë me ne sezonin e ardhshëm”. Besimi i sheikut vjen nga fakti se kampioni i botës ka kontratë deri në 2022, por edhe nga fakti se në Francë nuk praktikohen klauzolat e transferimit në kontratat e futbollistëve.

Reali i Madridit, klubi më i interesuar nga të gjithë, duket se i ka shtyrë planet, prandaj “Marka” shkruante titullin “Operacioni 2020”. Vetëm atëherë, madrilenët mund t’ia dalin të shtojnë një tjetër galaktik në skuadrën e tyre, ndonëse tifozët e duan që sot. Presidenti Perez ka shpenzuar 300 milionë euro deri tani, do të shpenzojë përsëri për lojtarë të tjerë, mes të cilëve Van de Bek që mund të kushtojë 50-60 milionë euro, ndërsa blerjet e tanishme, do të kenë kosto edhe sezonet e ardhshme.

PSG ka menduar një plan, sipas të cilit kartoni i Mbapesë do të vlerësohet në 230 milionë euro, madje në rastin më të mirë 250 milionë, pra për Al Helaifin, kjo do të thyente rekordin e Nejmarit, që u mor nga Barcelona për 222 milionë euro.

Sfidanti.al