Një fishekzjarr për të hapur sytë, futbolli francez tronditet nga dhuna

Është shumë e vështirë që një i uritur të përmbahet me fytyrën të ngjeshur në xhamin e një dyqani sallamesh. është e pamundur t’i bësh moral një njeriu që nuk ka asgjë, se nuk duhet të vjedhë diçka që i përket dikujt që është shumë më tepër në gjendje se ai. Po ashtu, është tepër e vështirë që futbollistët profesionistë, pjesë e kastës së milionerëve të sotëm, dhe presidentët që u japin ato para, të ankohen se disa rrugaçë po prishin ndeshjet e ligave më interesante. Në Francë, përballja mes Metcit dhe Lionit u ndërpre, në një mënyrë shumë më të rëndë dhe më të shëmtuar sesa derbi i kryeqytetit shqiptar, Tirana-Partizani.
Tifozët e Metcit hodhën një fishekzjarr në këmbët e portierit të miqve, Antoni Lopez, i cili u rrëzua përtokë. Mjekët shkuan ta ndihmonin, por ndërsa ata punonin, një tjetër fishekzjarr u hodh dhe shpërtheu pranë tyre. Ndeshja u braktis pas një pritjeje prej 1 ore, ndërsa Metci ishte në epërsi 1-0 me golin e shënuar nga Gotie Hajn. Me shumë gjasa, ato pikë do t’i shpëtojnë nga duart skuadrës nga Alsaz-Lorena, dhe me siguri do t’i jepen Lionit. Presidenti lionez, Zhan-Mishel Ola, shkroi në Tuiter se “gjendja është shumë serioze me fishekzjarrët, që dëmtuan portierin dhe mjekun e ekipit tonë”. Ja pra, Franca e madhe nuk është në gjendje të kënaqë njerëzit e vet, ndërsa shumë lart nivelit mesatar të jetesës “fluturon” Liga e Futbollit, streha e fatlumëve të rinj të shoqërisë.