Nejmar dëshiron largimin sepse nuk beson tek lavdia me PSG-në!

Ishte një mbrëmje e ftohtë pariziene ajo e 6 marsit, por për një spektatorë të shquar në tribunën VIP ishte më shumë se kaq. Nejmar u dëshpërua shumë në “Park dë Prensis”, ndërsa ndoqi eleminimin e Paris SG ndaj Mançester Junajtidit në Champions. Sipas, një burimi që foli në anonimitet për të përditshme “L’Ekip”, përfundimi i ndeshjes së turit të dytë ishte edhe momenti kur brazilianit iu mbush mendja “top” për t’u larguar nga kampionia e Francës.

Iluzionet iu shkatërruan për të dytin vit radhazi, ndërsa vetë ai ishte po për të dytin vit radhazi i dëmtuar. Nejmar, me gjasë, mendoi se një skuadër e ligës franceze e ka të vështirë të konkurrojë me superfuqitë europiane për Championsin, dhe që nga ajo kohë nisi të thurte planet për t’u kthyer tek Barcelona. Ndoshta, edhe për të shkuar në Madrid tek Reali, nëse nuk bëhej gjë për në “Kamp Nou”. Kjo është historia e “L’Ekipit”, së cilës iu referuan sidomos gazetat katalanase (“El Mundo Deportivo” apo “Sport”). Nuk dihet sesa i afrohet së vërtetës, por dihet mirë që Nejmar dëshiron të largohet nga PSG-ja.

Sfidanti.al