Mbape shënon, por nuk janë Krishtlindjet e duhura në Paris!

Ky qytet e vlen një meshë, tha dikur Mbreti i Francës, Henri IV. Edhe sheikët që kanë sot aksionet e Paris SG mendojnë se për këtë klub që kanë vlen çdo sakrificë, veçse festa tani në fundin e vitit nuk është ajo e duhura. Pavarësisht fitores 4-0 ndaj Strasburgut dhe faktit se ky kundërshtar nuk ia del të mundë kryeqytetasit për 30 ndeshje me radhë, sërish atmosfera nuk është nga më të mirat. Vështirë të pranohet në klubin më të madh të Francës dhe nënkampionen e Europës, që në Krishtlindje të jetë në vendin e tretë në Ligën e Parë, pas Lionit dhe Lilës. Kryesuesit kanë nga 36 pikë, PSG ka 35. Për më tepër, dy rivalët kanë vetëm nga 1 humbje, ndërsa parizienët kanë 4. Me gjasë, ultimatumi për trajnerin Tomas Tuhel mbetet në fuqi, por duket se PSG po kalon një fazë tranzicioni me shumë ndryshime në formacion dhe me Nejmarin sërish të dëmtuar. Besohet se faza e dytë e sezonit do të jetë më e mirë, por pritet ngarkesë edhe në Champions, ndërsa potenciali nuk duket ai që ishte vjet.

Sfidanti.al