Kurë ndaj virusit? PSG u ofron tifozëve 10 000 minuta futboll falas!

Nuk është gjë e vogël në një periudhë kur edhe një këshillë jepet me para. Në botën e biznesit, ku siç thotë një filozof, “edhe dashuria, urrejtja, krenaria apo dhimbshuria shiten e blihen”, gjesti i Paris SG për tifozët e vet mund të vlerësohet. Klubi francez deklaroi se do të ndihmojë tifozët e tij të ngujuar nëpër shtëpi për shkak të koronavirusit. Ndihma është një paketë ndeshjesh futbolli të skuadrës së zemrës, prej 10 000 minutash, që mund të shihen pa pagesë.

Klubi ka krijuar një platformë “PSG TV”, të cilën tifozët mund ta ndjekin nga shtëpia nëpërmjet lidhjes së internetit. Kjo paketë përfshin ndeshje të këtij sezoni, dhe të atij paraardhës, diçka që padyshim ndihmon publikun e interesuar që të “vrasë” sa më mirë kohën, ndërsa mbetet i mbyllur në shtëpi. Po ashtu, PSG ofron çdo mbrëmje në orën 21:00, që të shikohen “shfaqje” (watch party) në Fejsbuk (Facebook) dhe të ndajnë virtualisht “pasionin kuq e blu”.

Sfidanti.al