Kupa u mbush, 79 për qind e tifozëve duan largimin e Nejmarit

Po të ishte për tifozët, ai nuk do të vinte më këmbë kurrë në Paris. Publiku i PSG-së duket se nuk e duron dot më sjelljen e Nejmarit, që refuzoi paraqitjen në skuadër sipas afatit, dhe i kërkojnë klubit që ta flakë tej. Një sondazh i bërë së fundmi tregoi se 79 për qind e përkrahësve parizienë janë kundër vazhdimit të brazilianit në “Park dë Prinses”. Ky ishte sondazh i “Frans Futbollit”, dhe tifozët thanë se transferimi i sulmuesit tek Barcelona apo Reali do të ishte një biznes i mirë.

Nëse të dy palët e tifozëve, ata të Barçës dhe PSG-së, do të bëheshin bashkë, me shumë gjasa Nejmari duhet të gjente një skuadër tjetër, i papëlqyer në “Kamp Nou” dhe në Paris. Gjithsesi, katalanasit nuk kanë ndërmend “të hidhen me kokë”, por kanë kushtet e tyre për të marrë brazilianin. Ata vërtet e vlerësojnë kartonin në 200 milionë euro, por duan që në marrëveshje të përfshihen Filip Kutinjo e Usman Dembele, dhe në këtë mënyrë, do ta ulnin shumë sasinë e parave “kesh” që do të duhet të paguanin.

Sfidanti.al