Kilian Mbape? Zidani po kthehet në makth për Paris SG

Fisnikëria është e madhe kur e shikon në fytyrë, përballë ose në profil. Zinedin Zidan, padyshim, është një personalitet i veçantë i futbollit, veçse kur vjen puna për të mbrojtur interesat e tij, edhe francezi me origjinë nga Algjeria nuk ndryshon shumë nga të tjerët. Këtë po e kupton mirë Paris SG, pas komenteve që Zizuja bëri për Kilian Mbapenë, dhe drejtuesi i lartë i francezëve, Leonardo, nuk mbeti pa reaguar.

“Zidan po tregon mungesë respekti për klubin tonë, dhe po ndikon për të destabilizuar Mbapenë, – u shpreh braziliani, – më jep shumë bezdi një sjellje e tillë, pasi nuk është normale dhe nuk duhet bërë kështu. Mbape është shumë i rëndësishëm për ne”. Zidan ishte shprehur më parë se Mbape gjithnjë ka pasur dëshirë për të luajtur me Realin e Madridit, ekipin që ai vetë drejton. Një lojë e vjetër kjo, por që shpesh herë bëhet në prapaskenë, ndërsa Zizu vendosi ta ngrinte “perden” e të dilte hapur. Reali besohet se do të tentojë fort verën e ardhshme për ta marrë 20-vjeçarin kampion të botës.

Sfidanti.al