Gjermani Tuhel zbulon dobësitë e PSZH-së, si alibi per Championsin

PSZH-ja në ndeshjen e fundit miqësore të zhvilluar në SHBA pësoi humbje nga Bajerni i Mynihut. Trajneri gjerman i ekipit francez të lartpërmendur, Tomas Tuhel, bëri një analizë jo vetëm kë kësaj të ndeshjeje, por edhe të ndeshjeve të tjera përgatitore, dhe doli me konkluzionin se PSZH-ja ka nevojë për tre përforcime.
I pyetur nga gazetarët, nëse PSZH-ja do të luftojë gjatë këtij sezoni të Ligës së Kampioneve për titullin kampion të saj, si edhe për trofetë e tjerë, Tuheli, duke iu shmangur një përgjigjeje të drejtpërdrejtë, vuri në dukje tre pozicionet që duhet të forcohen sa më shpejt.
“Neve na iku Juri Berçiçe, të cilit duhet t’i gjejmë një zëvendësues të denjë. Pra, kjo do të thotë se ne kemi nevojë për një mbrojtës të mirë të majtë, ndërkohë që po ashtu neve na duhet edhe një mbrojtës i djathtë i mirë, pasi Dani Alvesh ndodhet ende i dëmtuar, ndërkohë që kohët e fundit ai iu nënshtrua edhe operacionit. Tomas Menie luajti mirë në Botëror, por e keqja është se ai u bashkua me vonesë me neve. Po ashtu, neve na duhet që të gjejmë një zëvendësues edhe për Tiago Motën, jo vetëm me cilësitë e tij karakteristike si futbollist, por edhe me cilësitë e tij prej lideri të ekipit”, tha trajneri i ri i PSZH-së, Tomas Tuhel.
Sfidanti.al