Fabregas prezantohet e Monako: Ishte zgjedhja më e mirë

Cesk Fabregas e ka bërë tashmë debutimin e tij me Monakon në ndeshjen me Marsejën ditën e diel, por prezantimin zyrtar si futbollist i skuadrës së Principatës e bëri vetëm gjatë kësaj jave. Mesfushori 31 vjecar që la skuadrën e Celsit i dha fund aventurës së tij 13 vjecare në kampionatin anglez të futbollit dhe te Monaco ai tashmë po punon me një njohje të vjetër të tij, trajnerin Tierri Henri me të cilin ka luajtur dikur me skuadrën e Arsenalit. Fabregas u transferua te Monako për shifrën e 10 milionë Eurove duke firmosur me këtë skuadër për 3 vjet e gjysmë.

‘3 muaj më parë nuk e mendoja largimin nga Chelsea, por rrethanat e krijuara më ndihmuan shumë në këtë pikë-tha Fabregas gjatë prezantimit të tij-po luaja gjithnjë e më pak. Në fillim ishte një surprizë për mua, por në fund mora këtë vendim duke u konsultuar edhe më familjen time. Është gjëja më e mirë për të ardhmen time’.

Në të njëjtën kohë me Fabregas, bënë prezantimin e tyre edhe Naldo, Balo-Ture dhe Venkër, të tre blerje këto të kryera në merkaton e muajit janar nga skuadra e Monakos.

sfidanti.al