E doni apo s’e doni, Nejmar po arrin kulmin tek Paris SG

Gallatasaraji ndoshta nuk ishte kundërshtari më i fortë për të provuar klasin, por sidoqoftë kur di të luash mirë, arrin ta bësh. Nejmar ishte ylli kryesor i Paris SG në fitoren e mesjavës në Europës, edhe pse shënoi vetëm një herë. Supertalenti brazilian ishte i pranishëm në të gjithë golat e kampiones së Francës duke treguar se ka kapur kulmin e formës, edhe në anën fizike dhe atletike, edhe në aspektin psikologjik duke luajtur me dëshirë për skuadrën nga e cila dëshironte të largohej me patjetër në verë.

Ikja mund të presë, duhen edhe disa muaj, por pas dëmtimit dhe sherreve, Nejmari tani është qetësuar dhe trajneri Tomas Tuhel mund të marrë prej tij një ndihmë të madhe. Sidomos në këto momente kur Mbape është i nervozuar, duke qenë i pasigurt për të ardhmen. Klasi i Nejmarit, bashkuar me efikasitetin e Ikardit apo Sarabias, është një “antidot” për luhatjet e Mbapesë dhe PSG mund të mendojë më në fund për ta fituar edhe Championsin, jo vetëm Ligën e Parë.

Sfidanti.al