Bejl dhe Hames për Nejmarin? Do ta hajë “këtë tek” Al Helaifi i PSG-së?!

Pavarësisht dëmtimeve dhe problemeve, mbetet tepër i  kërkuar. Me Kilian Mbapenë të pamundur për t’iu shkulur Paris SG, është Nejmar njeriu-simbol i  transferimeve të verës, dhe pas Barcelonës, ja ku del përsëri kandidatura e Realit. Klubi madrilen ka gati një ofertë tepër të madhe, për t’ia kaluar katalanasve dhe për të marrë sulmuesin brazilian.

Është madje një gazetë e Katalonjës, “El Mundo Deportivo”, që shkruan për planet e presidentit të Realit, Florentino Perez. Flitet për t’i dhënë PSG-së plot 130 milionë euro, përveç kartonit të dy lojtarëve të cilësuar të shtrenjtë, si Garet Bejl dhe Hames Rodrigez. Nuk dihet nëse presidenti i  parizienëve, Naser Al Helaifi, do të bindet, sidomos për një lojtar si Bejli, për të cilin deri tani nuk ka pasur asnjë kërkesë, edhe pse dihet se Reali dëshiron ta largojë.

Vetë Paris SG ka kërkuar 300 milionë euro për kartonin e Nejmarit, të paktën sipas mediave, dhe kjo do të thotë se madrilenët i  vlerësojnë kartonët e Bejlit dhe Hames Rodrigezit deri në 170 milionë. Nejmar besohet se ka shprehur dëshirën për t’u kthyer tek Barcelona, ku luajti deri në 2017, kur u largua për në Francë. Superylli brazilian e quan klubin katalanas si shtëpinë e tij dhe duket se pëlqen të luajë sërish në krah të Mesit e Suarezit.

Sfidanti.al