Ligue 1, 4 raste me Covid 19, shtyhet ndeshja e hapjes e sezonit të ri

Ndeshja që do të hapte sezonin e ri në Ligue 1 ditën e premte, Marseille-St.Etienne u shty për shkak se 4 lojtarë të Olympique të Marseille  rezultuan pozitivë me coronavirus. Rreth 30 futbollistë në Divizionin më të lartë të futbollit francez kanë rezultuar të prekur nga Covid-19,  ndërkohë që kampionati është parashikuar të nisë pas disa ditësh. Rregulli i Ligës së Futbollit në Francë imponon shtyrjen e një ndeshjeje nëse 4 ose më shumë lojtarë rezultojnë të prekur nga coronavirusi.

Për këtë arsye, Komisioni i garave në Ligë vendosi që  të shtyjë këtë përballje në 16 ose 17 shtator, ndërkohë që përafroi për të premten ndeshjen mes Bordeaux dhe Nantes që fillimisht ishte parashikuar të luhej në pasditen e së shtunës.

Por përvec Marseille, është edhe një skuadër tjetër që po përballet me raste të reja me Covid 19. Bëhet fjalë për Nimes që konfirmoi se 2 anëtarë të stafit janë të prekur nga coronavirusi. Në 14 gusht, Nimes bëri të ditur edhe për një rast të parë të dyshuar me Covid-19 duke bërë që drejtuesit e këtij klubit të marrin vendimin për anulimin e miqësores me Dijonin dhe tani nuk përjashtohet mundësia që edhe ndeshja mes Nimes dhe Brest e parashikuar të luhet të dielën të shtyhet për një datë tjetër.

Sfidanti.al