Lazio, gjithnjë e më pranë blerjes së David Silvës

Lazio është gjithnjë e më pranë blerjes së David Silvës. Sipas të përditshmes italiane ‘Corriere Dello Sport’, bisedimet për mesfushorin spanjoll tashmë kanë nisur dhe futbollisti duket se ka vendosur të pranojë ofertën e bërë nga Claudio Lotito. Në orët e fundit u intensifikuan kontaktet mes drejtuesve të klubit bardhekaltër dhe përfaqësuesve të David Silvës, ndërkohë që vëllai i këtij të fundit ka vizituar edhe qendrën sportive të Lazios në Formello, një detaj ky që të lë të kuptosh se gjithcka do të përfundojë në mënyrën më të mirë për Lazion.

Përsa i përket pjesës tjetër të cështjes, në ditët e ardhshme pritet të zgjidhen edhe disa detaje të tjera që kanë të bëjnë me bonuset. Lotito dhe Igli Tare besojnë se do të mbyllin përfundimisht operacionin këtë javë, menjëherë pas ndeshjes së Ligës së Kampioneve mes Manchester City dhe Realit të Madridit. Dita e duhur për të fshirë të gjitha dyshimet dhe për të dhënë një përgjigje përfundimtare klubit bardhekaltër është pikërisht e diela.

Sfidanti.al