Zidane kompleton tablonë e Realit të fuqishëm!

Zinedin Zidane, trajneri i Realit të Madridit, shumë shpejt, e proklamoi veten si një nga specialistët më të mirë të futbollit në botë, qysh në fillim të karrierës së tij si trajner dhe provë kryesore e këtij fakti është, sigurisht, ajo që ai ka realizuar në krye të Realit brenda një periudhe kohore prej vetëm 20 muajsh. Zidane e mori Realin, kur ai ndodhej në një situatë, me të vërtetë, të keqe, ndërsa trashëgoi nga Rafael Benitezi një “dhomë zhveshjeje” të përçarë e të tronditur, por, brenda një kohe, relativisht të shkurtër, ai arriti që të krijojë në këtë ekip një harmoni të plotë dhe shpirt ekipor, duke i shndërruar këto të fundit në një sukses të jashtëzakonshëm.

Që në gjashtë e muajt e parë të tij te Reali, Zidane triumfoi në Ligën e Kampioneve dhe, nëse dikush tha, atëkohë, se ishte fjala për atë lloj fati që, zakonisht, shoqëron fillestarët në punën e tyre, gjithçka mbeti në plan të dytë mbas mbarimit të sezonit të fundit, kur Reali fitoi jo vetëm kampionatin spanjoll, Primerën, por edhe mbrojti titullin e kampionit të Evropës, duke u bërë, kështu, ekipi i parë në histori që e fiton Ligën e Kampioneve, dy herë radhazi. E gjithë kjo i jep Zidanes një kredibilitet të pazakontë, ndërsa paralajmërohet se presidenti Florentino Perez do t’i japë atij një kontratë shumë më të pasur. Gazeta madridase, “Marka”, ndërkohë, shkruan se Zidane ka zgjidhur edhe dy ekuacionet e panjohur që i kishin mbetur lidhur me atë sesi do të jetë Reali në sezonin e ardhshëm: drita e gjelbër për angazhimin e Teo Ernandezi nga Atletiko dhe kthimi i Makos Ljorentesit që, deri tani, ka luajtur si huazuar tek Alaveshi.

Sfidanti.al