Zidan vë në sedër yjet e Realit: E dini sesa pak La Liga keni fituar?!

Veçoi njërin prej tyre, atë që e ka ndër më të dashurit, Luka Modriçin. Zinedin Zidan i vuri në sedër futbollistët e tij për të luftuar deri në fund për titullin kampion, duke u kujtuar një fakt të thjeshtë. “A e dini sesa pak tituj kampion keni fituar? – tha ai, – nuk është normale që një lojtar si Modriç të ketë fituar vetëm një La Liga”. Zidani theksoi se vërtet janë fituar disa Champions, por jo kampionati spanjoll. Modriç erdhi në Madrid në 2012, dhe ka vetëm ligën e 2017-ës. Yjet e Barcelonës, Ter Shtegen dhe Suarez, që erdhën në “Kamp Nou” në 2014 kanë nga 4 liga, po aq sa Sergio Ramos që është tek Reali nga 2005-ta, apo se Marselo që ndodhet aty që prej 2006-ës. Mesi është rekordmen i katalanasve me 10 tituj, ndonëse rekordin absolut në Spanjë e mban madrileni Fransisko Gento me 12 tituj. Fjalët e Zidanit duket se po bëjnë efekt, pasi Reali është në krye të kampionatit spanjoll me 3 pikë më shumë sesa Barcelona.

Sfidanti.al