Zidan, per disa do te thote argetim, per disa eshte..ferri

Nëse James nuk e nis titullar sfidën ndaj Sporting Gijon, atëherë ai duhet t’i paketojë valixhet dhe t’i thotë lamtumirë Real Madridit”, kështu mendojnë analistët dhe gazetarët në Kolumbi.

James Rodriguez po kalon sezonin më të keq në karrierë. Ai e filloi keq me trajnerin Rafa Benitez, dhe u mendua se me ardhjen e Zidanit gjërat mund të ndryshojnë. Por, ka ndodhur e kundërta – pasi kolumbiani po kalon sezonin më të keq me trajnerin francez, që nuk po beson shumë në cilësitë e 25 vjeçarit. Se situata e kolumbianit nuk është aspak e mirë, u vërtetua në ndeshjen ndaj Sporting Lisbonës ku Jamesit nuk iu kërkua nga Zidane që të dalë në nxehje, i cili më pas inkuadroi Asension në vend të të lënduarit Gareth Bale.

Gazetarët spanjoll e ata kolumbian, kanë filluar debate të shumta për sjelljen e Zidanit ndaj James Rodriguez, që për disa është e papranueshme. Zizu vazhdimisht e përsërit se James do të ketë minuta, por kjo nuk po ndodh. Të njëjtën gjë e përsëriti edhe në konferencën e së premtes. I pyetur se a është një mundësi e mirë për James që të luajë më shumë pas lëndimit të Bale, ai insiston që të flasë në përgjithësi duke thënë: “Është për të gjithë”, duke hezituar që të flasë në veçanti për lojtarin që u ble për 80 milionë euro dhe që u shpall mesfushori më i mirë në La Liga në edicionin e tij të parë në “Santiago Bernabeu”.

Në Kolumbi mendojnë se ndeshja ndaj Sporting Gijon është vendimtare sa i përket të ardhmes së James dhe nëse ai nuk e nis titullar duke parë edhe mungesat e shumta të “Los Blancos”, atëherë ai duhet të heqë dorë nga ëndrra e tij dhe të largohet nga Madridi, shkruajnë mediat spanjolle. Ka nga ata që mendojnë se ai dëshiron të qëndrojë në Madrid vetëm për një arsye, që sjellja ndaj tij nuk ka qenë e drejtë dhe se do t’ia dëshmojë atyre që nuk besuan në të se është një lojtarë i madh dhe mund të jetë shumë i rëndësishëm në formacionin e “Los Blancos”.