Zidan nuk ka shpjegime për humbjen, Mijatoviç e sulmon!

Kur vjen e keqja, hapi derën, thotë populli, dhe kështu duket se po ndodh tek Reali pas humbjes me Alaveshin. Sulmet kanë ardhur nga mediat, por edhe nga një personalitet i dikurshëm. “Një Madrid i shkatërruar, – shkruan “AS”, – një penallti naïve, një gabim i Kurtuasë dhe një paraqitje e keqe, e largojnë ekipin e Zidanit nga kreu”. Një kritikë e ashpër për trajnerin erdhi nga ish-ylli Predrag Mijatoviç.

“Nuk kuptoj se çfarë po ndodh me të, – u shpreh ish-sulmuesi malazez për një emision të medias “Kadena Ser”, – disa nga zgjedhjet e Zidanit për formacionin titullar më duken të pashpjegueshme”. Shqetësim edhe më i madh për Realin është dëmtimi i Eden Hazarit, investimit më të madh që nga koha e Ronaldos e Bejlit, që po lëndohet shpesh.

“Nuk kam shpjegim për këtë që ndodhi, – pranoi sinqerisht Zizuja, – ne alternuam momente të mira me momente të këqija, ndërsa situata jonë u ndërlikua shumë pas pësimit të golit të parë. E habitshme, tri ditë më parë luajtëm mirë në Milano, ndërsa tani … Ky është realiteti. S’na mbetet veçse të ulim kokën e të punojmë, të presim kthimin e lojtarëve. Nuk kemi vazhdimësi”.

E përditshmja “Marka” vendosi të mos merrej thuajse fare me Realin, por me të drejtë zgjodhi për në faqe të parë Atletikon e Madridit, që fitoi minimalisht në fushën e Valencias, dhe mbetet rivali më i fortë për titull, bashkë me Sociedadin. Për Realin mjaftoi titullin që “gjithçka shkoi keq”.

Me të vërtetë, është skuadra e trajnerit Simeone që duket se po jep tonin, bashkë me ekipin bask. Atletiko fitoi 1-0 në Valencia dhe ndodhet në krye me 23 pikë, po aq sa Sociedadi, madje duke pasur një ndeshje më pak të luajtur sesa Reali, e duke qenë 6 pikë përpara.

Sfidanti.al