Ymtiti, do rinovosh me Barçën? Kaloni tek pyetja tjetër!

Si ka mundësi që Barcelona e ka kaq të vështirë të bindë lojtarët për të rinovuar. E provoi me Mesin që tha “po” vetëm fare në fund, dhe po e provon me Samuel Ymtitinë, mbrojtësin francez që është ndër më të mirët në ekipin katalanas. Intervista e fundit e 24-vjeçarit në televizionin francez “TF1” nuk ndihmoi aspak për të larguar dyshimet dhe spekullimet.

Intervista ishte për përgjigje të “thata”, “po” ose “jo”. Kur u pyet sesi po shkojnë bisedimet me drejtuesit e Barçës, Ymtiti nuk tha as “po” dhe as “jo”, por “xhoker”, pra bëri një “driblim”. U pyet përsëri nëse ka ndërmend të shkojë tek Mançester Junajtidi dhe u përgjigj sërish “xhoker”.

Klauzola e tij është vetëm 60 milionë euro, një shifër që sot mund të paguhet me lehtësi nga shumë klube të rëndësishëm në Europë. Gjithsesi, tek Barcelona besojnë se do t’ia dalin, tani që rinovuan me Mesin, me Sergi Roberton apo lojtarë të tjerë të rëndësishëm, ndërsa nuk dihet e ardhmja e Iniestës.

Sfidanti.al