Shtanget Spanja, Barça bojkoton festën e më të mirëve të vitit

Ka mjaftuar një shkak, që normalisht nuk mund të quhet serioz, për të ndodhur një bojkot aspak normal. Ashtu si dikur Zhoze Murinjo apo Kristiano Ronaldo, Barcelona u soll në mënyrë aspak normale duke mos denjiuar që të shkonte në mbrëmjen “gala” të më të mirëve të sezonit në Spanjë.

Përse? Sepse juria e ligës spanjolle nuk kishte përzgjedhur trajnerin katalanas, Luis Enrike, si numrin 1 të edicionit të kaluar. Më i miri i stolit u zgjodh Diego Pablo Simeone, një vlerësim krejtësisht i saktë nëse mban parasysh se argjentinasi i Atletikos luftoi për titull deri në fund dhe arriti në finalen e Chmapionsit me një skuadër shumë më modeste se Reali e Barça.

Kush e bëri këtë bojkot? Klubi që kishte shigjetuar Murinjon dhe Ronaldon se kishin shkelur rregullat e sportivitetit. Katalanasit gjykuan se Luis Enrike e meritonte çmimin për shkak se fitoi titullin kampion dhe Kupën e Mbretit, veçse me treshen MSN, natyrisht është më e lehtë.

Përveç, Simeones, në mbrëmjen “gala” në Madrid u nderuan edhe yjet e tjerë. Lojtari më i mirë i sezonit u shpall Antuan Grizman i Atletikos, portieri më i mirë Oblak po i Atletikos, mbrojtësi më i mirë Diego Godin sërish i Atletikos, ndërsa Lionel Mesi u vlerësua si sulmuesi më i mirë, edhe pse shënoi më pak gola sesa Suarez dhe Ronaldo. Argjentinasi duhet ta marrë çmimin me postë, pasi ashtu si shokët e skuadrës nuk kishte shkuar në festë.