Ruaju Barcelonë, Kristiano Ronaldo është “terrori” në “Kamp Nou”

Kristiano Ronaldo ia ka dalë të lerë shenjë dhe të jetë i respektuar. Edhe pse epoka e tij tek Reali i Madridit ka qenë më shumë nën hijen e Barcelonës, sërish numri 7 i Realit ia ka dalë, me këmbëngulje, të bëjë të vetën. Një statistikë e thjeshtë tregon se portugezi është një kundërshtar i frikshëm për katalanasit, edhe pse në kampionatin spanjoll nuk ka mundur të fitojë më shumë se një titull, ndaj 8 të Barçës gjatë kësaj periudhe.
Golat janë specialiteti i tij dhe CR7 ia ka dalë të realizojë 10 herë në 12 ndeshje që ka luajtur në stadiumin “Kamp Nou”. Në këtë periudhë, Ronaldo ka pasur ecuri më të mirë sesa rivali i tij i madh, Lionel Mesi. Argjentinasi në 12 ndeshje ka shënuar 5 gola, nga të cilët vetëm 2 në kampionat. Kanë mbetur pas vitet kur Mesi ishte dominuesi i “El Klasikos” (edhe tani ndikon pa masë), sidomos i ndihmuar nga Ksavi dhe Iniesta, atëherë në formë të madhe. Po të shtunën, si do të përfundojë? Shanset ia japin përsëri më shumë Ronaldos.