Realit të palumtur nuk i mjafton karakteri i kapitenit Ramos

Në një moment të El Klasikos ndodhi diçka aspak normale për numrin 1 të futbollit botëror. Lionel Mesi u acarua jashtë mase dhe u përplas kokë më kokë me Sergio Ramosin, pasi ky i fundit e goditi me bërryl në fytyrë gjatë një ndërhyrjeje. Kapiteni i Realit reagoi edhe ai ashpër, ndërsa po ashtu u shpjegua ashpër me Gerard Pikenë, pak çaste më vonë lidhur me atë që ndodhi.

Nëse të gjithë lojtarët madrilenë do të kishin pasur karakterin dhe energjinë e kapitenit të tyre, ndoshta nuk do të kishin humbur dy El Klasiko radhazi me Barcelonën, brenda në Madrid. Njëri prej tyre që foli për problemin e Realit, Zhoze Murinjo, theksoi këtë fakt. “Reali duket skuadër pa lumturi dhe pa besim në vetvete, – tha ish-trajneri “merenges”, – nuk mund të them që (në ndeshjen e fundit) luajti keq, por luajti butë, pra pa bindjen e duhur”.

Tifozët po ashtu iu vunë kundër ekipit. Të intervistuar nga kamerat pas ndeshjes, ata theksuan se duhet larguar gjysma e lojtarëve, përfshi trajnerin, se duhet një sulmues dhe se Reali është duke luajtur shumë keq.

Sfidanti.al