Reali “edhe kështu, edhe ashtu”, cilën fytyrë duhet të besojmë “Don” Zidan?!

Cila është fytyra e vërtetë e këtij ekipi? Reali i sezonit 2019-2020 do të jetë ai që u shfaq i jashtëzakonshëm në pjesën e parë ndaj Levantes në “Santiago Bernabeu”, apo përkundrazi, skuadra e dorëzuar e pjesës së dytë, që thuajse dorëzoi një fitore të siguruar.

Ky ishte shqetësimi i madh që formacioni i hedhur në fushë nga Zinedin Zidan i dha dhjetëra mijë tifozëve në Madrid, sepse pas avantazhit 3-0, ndryshoi tërësisht për keq. Dakord, pati mungesa, pasi Modriç nuk ishte aspak, dhe Eden Hazar hyri vetëm në pjesën e dytë, por këto arsye nuk u dukën bindëse për atë që ndodhi.

Me të marrë goditjen e parë, menjëherë pas pushimit, madrilenët sikur nuk ishin më vetvetja. Besohet, prishi shumë punë dalja pas një ore lojë e kapitenit Sergio Ramos, me Zidanin që deshi të provonte edhe Militaon në mbrojtje.

Jo se luajtën keq, përkundrazi tifozët ndoqën një skuadër sulmuese në “Bernabeu”, por që shpërdoroi shumë dhe që u tregua e pasigurt në mbrojtje. Një kombinim i tillë, ndaj rivalëve më të fortë, mund të sjellë dështime të mëdha, siç ndodhi në miqësoren e verës ndaj Atletikos, humbur 3-7. Zidan u duk i qetë dhe me besim se Reali do të mësojë të shënojë më shumë e të pësojë më pak, por kjo duhet të ndodhë që të besohet, ndërsa legjenda franceze nuk po duket shumë bindëse në stol që pas rikthimit sezonin e kaluar.

Lajmi më i mirë, përveç fitores, ishin golat e Karim Benzemasë, që kaloi Hulio Salinasin, duke pasur 152 rrjeta në La Liga, e duke hyrë në 20 më të mirët në renditjen e të gjitha kohëve.

Sfidanti.al