Real Madrid, duhet të bësh kujdes! Iniesta po kthehet!

Një kundërshtar shumë i rrezikshëm mund të jetë në fushë në 3 dhjetor përballë Realit të Madridit. Andres Iniesta po i jep dorën e fundit rikuperimit të tij dhe pritet që në fillim të muajit tjetër t’i përgjigjet thirrjes së trajnerit Luis Enrike për “El Klasikon” e radhës.

Gazeta katalanase “Sport” njofton se ylli 32-vjeçar tashmë i ka lënë prapa pasojat e dëmtimit të rëndë të pësuar në 22 tetor. Mjekët e Barcelonës, sipas gazetës, janë optimistë, ndërsa për një lojtar me aq shumë klas dhe përvojë sa Iniesta nuk pritet të jetë problem fakti që do të ketë gati një muaj e gjysmë pa futboll kompetitiv.