Real, 350 milionë euro për të marrë një “trazovaç” si Nejmari?!

Ideja e fundit është pikërisht kjo, pra që Nejmar dhe jo Mbape të përfundojë në “Santiago Bernabeu”. Presidenti Florentino Perez mund të jetë i lumtur për një lëvizje të tillë, pasi “Ney” do të thotë biznes i sigurt, diçka themelore për një “fabrikë milionash” si Reali, pas largimit të Kristiano Ronaldos.

Gjithsesi, Paris SG nuk është një klub nga ata që mund të vihen lehtë në vështirësi, pasi prapa tij qendron një shtet si Katari. Presidenti Al Helaifi përfaqëson kompaninë gjigande “Investimet Sportive të Katarit”, dhe mediat europiane shkruajnë se PSG do të kërkojë 350 milionë euro për kartonin e brazilianit. Shumë më tepër sesa 222 milionë eurot që i paguan Barcelonës.

Gjithsesi, lajmet e fundit për atë që po ndodh tek Parisi duhet t’i bëjnë drejtuesit madrilenë që të mendohen të paktën dy herë. Nejmar u përfshi në një konflikt me shokun e ekipit, gjermanin Draksler, duke i folur me mendjemadhësi dhe përbuzje. “Kush je ti që më flet kështu mua, – ishin fjalët fodulle të numrit 11, – ti di vetëm të bësh pasime prapa”. Vitin e kaluar, Nejmar u përfshi në konflikt me legjendën e klubit, Edinson Kavanin, për gjuajtjen e penalltive, dhe i tillë ishte (deri diku) edhe tek Barcelona.

Në fund të fundit, braziliani u largua nga katalanasit sepse pati vërejtje për të (një njeri i stafit të Luis Enrikes i tha se “do të përfundosh si Ronaldinjo”), dhe po ashtu sepse ishte tepër tekanjoz për të pritur “kurorëzimin” pas Lionel Mesit. Nuk dihet se çfarë mendon Zinedin Zidan, por padyshim që nuk i pëlqen që dikush t’i shkatërrojë harmoninë e skuadrës, qoftë ky edhe Nejmari.

Sfidanti.al