Pse vlen fitorja e Realit me Seviljen? Ishte pa Ramosin, Hazarin, Valverden, Bejlin dhe (thuajse) Benzemanë!

Një skuadër cilësohet pretendente e madhe, dhe e pjekur për të arritur qëllime të mëdha, kur tregohet e fortë edhe në mungesa. Diçka të tillë e bëri Liverpuli vjet në Champions, kur mundi 4-0 dhe eleminoi Barcelonën, duke mos pasur në përbërje Mohamed Salahun e Roberto Firminon, ndërsa në një shkallë më të ulët e bëri dje Reali duke fituar 2-1 ndaj Seviljes në La Liga, megjithë mungesat e rëndësishme. Zidani nuk pati në fushë kapitenin Sergio Ramos, yllin e verës Eden Hazar, zbulimin e mesfushës Fede Valverde, po ashtu Bejlin e lënë jashtë vetë nga trajneri, dhe thuajse mungesë Karim Benzemanë që hyri në pjesën e dytë.

Te ky Real u shfaqën udhëheqës të rinj, sidomos në mesfushë, me Kasemiron, Modriçin e Krosin, edhe pse treshja e sulmit la për të dëshiruar. Konfirmimi ishte tepër i rëndësishëm edhe sepse erdhi pas fitores së titullit të parë të sezonit, Superkupës së Spanjës, madje pas dy ndeshjeve të vështira, duke përfshirë edhe udhëtimin e gjatë Spanjë-Arabi Saudite-Spanjë. Duket se asgjë nuk mund ta ndalojë këtë Madrid. Të shohim sesi do të jetë Barcelona e Setienit, dhe nëse Mesi do të jetë në gjendje ta frenojë.

Sfidanti.al