Poçetino e dëgjoi thirrjen e Realit, por nuk doli nga “kafazi”

Reali i Madridit u detyrua t’i jepte fund përpjekjeve për të marrë Maurisio Poçetinon si trajner, pasi kuptoi se gjithçka ishte e pamundur. Tekniku argjentinas, nën kontratë me Totenhemin, nuk e mohoi aspak kënaqësinë që i dha interesimi i spanjollëve, por pranoi edhe se kjo lëvizje nuk do të ndodhte.

“Kur të thërret Reali, duhet të dëgjosh, – tha ai, – jam i nderuar nga interesimi, por unë kam kontratë të gjatë me Totenhemin dhe jam i lumtur aty”. Më herët, mediat spanjolle kishin shkruar se “Poçetino e paralajmëroi Realin se (presidenti i Totenhemit) Daniel Levi “kafshon”. Nënkuptimi ishte se Levi do të kërkonte një shumë tepër të madhe për kartonin e teknikut.

Presidenti i Realit, Perez, po ashtu u njoftua se kontrata e Poçetinos nuk kishte klauzolë shitjeje, pra Levi mund të caktonte shumë që dëshironte, ose mund të mos pranonte fare, ndaj edhe i dha fund “operacionit”, dhe madrilenët duhet të kërkojnë trajner tjetër. Mund të thuhet pra se Poçetino e dëgjoi thirrjen e Realit, por nuk mundi t’i përgjigjej sepse nuk doli dot nga “kafazi”.

Sfidanti.al