Përse Pike dhe Mesi janë pesimistë për titullin dhe Championsin?!

Tifozët e Barcelonës, padyshim, patën dëshpërim të madh kur qendërmbrojtësi i tyre emblematik nxorri ato fjalë nga goja në përfundim të ndeshjes në fushën e Seviljes. “Nuk varemi nga vetvetja, Reali mund ta fitojë kampionatin”, – u shpreh Gerard Pike. Edhe pse trajneri Kike Setien deklaroi ndryshe, dhe u shpreh se “nesër Pikeja do të mendojë ndryshe, ndërsa ne besojmë tek titulli”, sërish panorama nuk është aspak e mirë.

Barcelona e Setienit, siç thekson “Marka”, dhe siç thonë statistikat, bëhet e vogël me të mëdhatë e Spanjës. Eleminim nga Kupa me Bilbaon, humbje në Valencia e Madrid, barazim në Sevilje. Për më tepër, nuk shënoi asnjë gol! Edhe pse, trajneri ka në dispozicion Mesin, Grizmanin, Suarezin, Brejthuejtin e Ansu Fatiun, ndonëse Dembele është i dëmtuar. Gishti akuzues po drejtohet nga Setieni. Vetë Mesi gjatë kohë së pandemisë, deklaroi shkoqur në një intervistë se “me lojën që kemi bërë deri tani, nuk mendoj se mund ta fitojmë Championsin”. Në Champions, edhe po u kalua Napoli, do të luhet ndaj Bajernit, Sitit apo skuadrave të tjera të forta.

Sfidanti.al