Pa Suarezin, pa Ksavin dhe me … Valverden, nuk ka shpresë për Barcelonën!

Ai do të donte me gjithë zemër që të kthehej menjëherë, por ka disa detyrime dhe fjala e dhënë nuk shkelet. Ksavi Hernandez është bërë legjendë sidomos sepse ka ditur të mbajë fjalën dhe të përballojë edhe tundimet më të mëdha, dhe kështu do të bëjë edhe këtë herë, do të vazhdojë kontratën me skuadrën Al Sad në Lindjen e Mesme. Ish-mesfushori pohoi takimet me drejtues katalanas, por burimet pranë tij informojnë mediat europiane se ai nuk ka dëshirë të largohet që tani nga detyra, dhe se nuk pëlqen të marrë në dorë një skuadër në sezon e sipër. Ksavi mendon se më e mira do të jetë të nisë projektin e tij në verë.

Kjo do të thotë se Barça do të vazhdojë me trajnerin aktual, Ernesto Valverde, edhe pse ky është kritikuar shumë për formën jo edhe aq të mirë këtë sezon. Pavarësisht se ndodhet në krye të renditjes, me pikë të barabarta me Realin, klubi katalanas nuk është i kënaqur me ecurinë dhe futbollin që po luhet. Lajmet e këqija në “Kamp Nou” janë disa pasi edhe Luis Suarez nuk do të luajë për 4 muaj për shkak të dëmtimit dhe operimit. Nuk dihet nëse Lionel Mesi do të jetë në gjendje të përballojë ngarkesën i vetëm, dhe nëse Antuan Grizman do të mundë të zëvendësojë golat e Suarezit. Ai mund ta bëjë këtë nëse do të jetë në formën që ka tek Franca dhe që kishte tek Atletiko e Madridit.

Sfidanti.al