Nejmari kërcënon: Do të largohem, nëse trajner bëhet Unzue!

Gazeta katalonjase “El Mundo Deportivo” publikonte, dje, një lajm, sipas të cilit Nejmari ka kërcënuar se ai do të largohet nga Barcelona, nëse trajner i ri i saj do të bëhet Huan Karlos Unzue. Gazeta e mësipërme shkruante, këto ditë, se gjatë një seance stërvitore, javën e kaluar, pati një grindje mes Nejmarit dhe Unzues që është ndihmësi kryesor i Luis Enrikes. “Dora e djathtë” e Enrikes, duke mos qenë i kënaqur me përkushtimin e Nejmarit në stërvitje, i bëri vërejtje sulmuesit brazilian. Pretendohet se Unzue i kishte thënë Nejmarit:

“Nëse do të vazhdosh kështu, do të përfundosh si Ronaldinjo!”. Thuhet se Nejmari u nxeh shumë me këtë vërejtje dhe situata u elektrizua. Tani, gazeta e lartpërmendur shkruan se Nejmari është nxehur aq shumë, sa ka kërcënuar kryesinë e klubit të Barcelonës se ai do të largohet, nëse Huan Karlos Unzue caktohet trajner i ri i ekipit. Në fakti, Unzue është një nga opsionet si trashëgimtar i Luis Enrikes.

Sfidanti.al