Në La Liga kthehet Rajo Valekano: Pesë ekipe nga Madridi!

Rajo Valekano është ekipi i dytë që do të konkurrojë në La Ligën spanjolle në sezonin e ardhshëm. Ky ekip i periferisë së Madridit mundi Lugon në fushën e vet 1-0 me gol të shënuar nga Aleksa Morin në min. e 40-të, duke siguruar një raund para përfundimit të kampionatit pjesëmarrjen e vet në La Ligën kryesore spanjolle dhe duke gëzuar pa masë tifozët e vet që u vërsulën në fushë, pasi gjyqtari i ra bilbilit të fundit.

Kështu, Rajo, mbas dy vitesh mungese, kthehet përsëri në shoqërinë e ekipeve më të mirë spanjollë, nderkohë që, pak kohë më parë, pjesëmarrjen e vet, sezonin e ardhshëm, në La Liga e siguroi, për herë të parë në histori, ekipi Hueska.

Interesant është fakti se në sezonin e ardhshëm në La Ligën spanjolle do të marrin pjesë pesë ekipe nga Madridi, Reali, Atletiko, Hetafe, Leganes dhe Rajo Valekano.